Nis sezoni i korrje-shirjeve/ Ministria e Bujqësisë u bën thirrje fermerëve për bashkëpunim dhe kujdes

Me afrimin e sezonit të korrje-shirjeve dhe arritjen e fazës së pjekjes së drithërave të bardha, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionet Komunale për Korrje-Shirje, për të garantuar një proces të koordinuar dhe efikas.
Në një njoftim drejtuar publikut, ministria thekson se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në procesin bujqësor, andaj është e rëndësishme që të shfrytëzohen ditët me kushte të favorshme atmosferike, dhe që korrja të fillojë vetëm aty ku gruri ka arritur pjekjen teknologjike.
Ministria, në bashkëpunim me drejtoritë komunale për bujqësi dhe Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, ka kryer përgatitjet e nevojshme për një sezon të suksesshëm të korrje-shirjeve për vitin 2025.
Rekomandimet për fermerët:
Mos e filloni korrjen para pjekjes së plotë, pasi kjo ndikon negativisht në cilësi dhe sasi.
Pikat grumbulluese nuk do të pranojnë grurin me lagështi mbi 12–13%.
Këshillohuni me këshilltarët komunalë bujqësorë, të cilët janë të pajisur me njohuritë dhe të dhënat më të fundit për kushtet në terren.
Qendrat Këshilluese Komunale për Bujqësi janë të hapura për t’ju ofruar:
Informacione mbi nivelin aktual të lagështisë në arat tuaja;
Këshilla për kohën më të përshtatshme për korrje;
Ndihmë profesionale për të shmangur humbjet në rendiment dhe për të përmirësuar cilësinë e të korrave.