75 Mall Live Search
19:04 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / Z S

Nis shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale.

Shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë në Cele të Sllovenisë, sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.

Përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votim jashtë Kosovës për 43.993 shtetas, të cilat, KQZ do të sigurohet që t’ua dërgojë përmes postës, ndërkohë do të vazhdohet me shtypjen e fletëvotimeve për procesin e votimit brenda vendit.

Më 7 shtator, KQZ mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të shtypen 1 milion e 800 mijë e 410 fletëvotime dhe po aq edhe për kuvende komunale.

Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave e nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe votimin me postë.

Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13 për qind apo 268 mijë e 688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ është 2 milionë e 69 mijë e 98.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 2 milionë e 25 mijë e 105, ndërsa numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993.

Procesi zgjedhor organizohet në 938 qendra të votimit me gjithsej 2.625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra të votimit për votimin e rregullt me 2.571 vendvotime dhe 38 qendra votimi për votimin me kusht, me gjithsej 54 vendvotime./Indeksonline/