20:02 / E Mërkurë, 11 Maj 2022 / AR

Nis takimi Gërvalla-Borrell në Bruksel

Para pak minutave ka filluar takimi mes delegacionit kosovar që përbëhet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ky takim vjen pak para darkës joformale që Borrell ka organizuar për liderët e Ballkanit Perëndimor.

Për shkak se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk janë në Kosovë, në këtë takim po merr pjesë kryediplomatja kosovare.

Gërvalla para fillimit të kësaj darke, tha se “do të bisedojmë shtruar për mundësitë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Kemi ardhur sot nga Kosova për të marrë pjesë në darkën e organizuar nga zotëri Borrell. Në këtë darkë presim të bisedojmë shtruar dhe bisedojmë gjerë e gjatë rreth mundësive për një integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në strukturat e BE-së. Mendoj se kjo duhet të jetë në vijat e trasha e jo për çka do të takohemi sonte”, u shpreh ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme u shpreh se zv/kryeministri Besnik Bislimi do të vijë të premten në Bruksel për të arritur një marrëveshje me palën serbe.

“Zëvendëskryeministri Bislimi do të vijë këtu për të arritur një marrëveshje sepse dialogu asaj duhet t’i shërbejë. Të premten ai do të jetë këtu dhe të shohim çfarë rezultate presim. Delegacioni kosovar është i gatshëm të sjellë rezultate në këtë proces të dialogut”, theksoi ajo.