Nis takimi i katërt mes VV-së dhe LDK-së
Ka nisur takimi i katërt me radhë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të harmonizuar programin e mundshëm të Qeverisë së ardhshme.
Kësaj radhe, takimi është duke u zhvilluar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ku përveç Avdullah Hotit dhe Lumir Abdixhikut, të pranishëm u panë të jenë edhe Arben Gashi dhe Armend Zemaj që përfaqësojnë LDK-në.
Kurse nga radhët e “nikoqirëve” u panë të jenë, nënkryetari Besnik Bislimi, anëtarja e kryesisë Albulena Haxhiu, Sami Kurteshi dhe Blerim Sallahu.
Këtë herë, tematikë e diskutimit besohet të jetë sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, zgjedhjet e 6 tetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK-ja. Pikërisht këto dy parti kohën e fundit kanë intesifikuar takimet për të gjetur ‘formulat’ e përbashkëta qeverisëse.