13:13 / E Enjte, 17 Mars 2022 / AR

Nis zhvendosja e kiosqeve në “Muharrem Fejza”, Rama njofton se për 40 ditë përfundon rregullimi i rrugës

Ka nisur aksioni për zhvendosjen e kiosqeve në rrugën “Muharrem Fejza”, në Prishtinë. Nga sot, për 40 ditë pritet të përfundojë rregullimi i kësaj rruge.

I pranishëm në inspektimin e procesit të zhvendosjes së kiosqeve është edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili tha se gjendja e asaj rruge deri më tani ka qenë katastrofike, raporton Indeksonline.

“Kemi ardhë deri te negociata, jemi duke bërë zhvendosjen e këtyre kabinave që do të na lejon përfundimin e rrugës Muharrem Fejza deri te në pikën ku është hap, e gjithë ajo që është me zhavor. Krejt rruga deri tani ka qenë në një gjendje të keqe, gjendje katastorfale, e ne kemi marrë masat e menjëhershme për me shtru me zhvor sepse gjatë kohës me temperaturë përfundi 0 gradë nuk mundesh me kry punë tjera. Po ashtu edhe kohërave me të reshura, me shi e me bore nuk janë kushtet për zhvillim të rrugëve. I kemi edhe 39 ditë prej sot që do ta përfundojmë gjithë rrugën Muharrem Fejza. Më pastaj vazhdojmë me analizën e gjendjes ekzistuese edhe me kanalizimet”, thotë Rama.

Kryetari Rama njoftoi se tash e tutje çdo projekt që bëhet do të planifikohet në mënyrë të mirëfilltë.

“Më mirë me planifiku pak më gjatë që kur të fillon zhvillimi i projektit mos të ketë probleme, puna shkon më shpejtë pastaj. Kështu do jetë tash e tutje në Prishtinë”, thotë ai./Indeksonline/