Nisen materialet zgjedhore në Podujevë -Shteti ende pa VENDIM

Institucionet e Republikës së Kosovë ende nuk kanë marrë vendim final për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në qytetin e Podujevës.
E kjo ka bërë që puna normale të zhvillohet nga stafi i sekretariatit të Komisionit Zgjedhor.
Indeksonline ka bërë disa fotografi të kamionëve, të cilët nën përcjelljen e policisë së Kosovës, janë nisur për Podujevë për shpërndarjen e materialeve jo-senzitive.

Burime tona tregojnë se nëse deri në ora 12:00 nuk ka ndonjë vendim për ndërprerjen e zgjedhjeve, atëherë stafi i KKZ-së nis shpërndarjen e materialeve nëpër 45 qendrat e vendvotimeve.


Ky mos-vendim i organeve shtetërore ka vendosur në një pozitë të palakueshme stafin e Sekretariatit të Komisionit Zgjedhor.

Ndryshe, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID-19.

Masat shtesë që janë ndërmarrë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës janë si në vijim:
- Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës;
- Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë;
- Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;
- Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vet izolohen për 14 ditë;
- Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;
- Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;
- Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;
- Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;
- Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;
- Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia;
Rekomandim: U bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz dhe t’u përmbahen të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës;