12:20 / E Premte, 08 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Nis rregullimi i shtratit të lumit në Nagavc, të Rahovecit

Sot kanë nisur punimet në rregullimin e shtratit të lumiti të Nagavcit të Rahovec. Ai kalon në 5 fshatra dhe është 11 kilometra i gjatë.

Drejtues të Rahovecit vlerësuan lart projektin për rregullimin e shtratit të lumit që do t’i parandalojë përmbytjet, të cilat me vite të tëra kanë ndodhur në këtë zonë.

Drejtori i Bujqësisë i Rahovecit, Berat Duraku, theksoi se banorët e kësaj ane deri tashti kanë qenë në hall me përmbytjet nga ky lumë, por sipas tij, me rregullimin shtratit do të eliminohen këto dukuri, ndërsa do të rregullohet edhe kolektori ujërave të zeza.

“Sot zyrtarisht filluan punimet për rregullimin e shtratit të lumit, të një lumi ‘problematik’ i cili vazhdimisht ka dalë prej shtratit dhe ka vërshuar si shtëpitë ashtu edhe parcelat bujqësore. Projekti është i mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që është i ndarë , në dy lote. Projekti ku jemi tashti, loti i dytë përfshinë fshatrat nga Krusha e Madhe, Nagavci dhe deri në Hoçë të Vogël. Është një projekt i madh, vlera e projektit është 555 mijë euro”, theksoi Duraku.

Menaxheri i projektit Berat Duraku shtoi se përveç eliminimit të përmbytjeve, projekti përmban edhe gjëra të tjera të dobishme për banorët

“Projekti përveç qëllimit kryesor që është për eliminimin e përmbytjeve, do të ketë edhe shtigje këmmësorësh, drunj dekorativë, ndriçim publik në lokacionin ku ka shtëpi ose vendbanim”, deklaroi ai.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe kryetari i Rahovecit, Smaj Latifi, me bashkëpunëtorët. Projekti në tërësi pritet të përfundojë brenda dy vjetësh.