Nisma, homazhe në Prekaz, Rifat Jashari i pret në kullë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga strukturat drejtuese të këtij subjekti kanë bërë homazhe në Prekaz me rastin e 22- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.
Limaj me këtë rast ka thënë se sikur në çdo përvjetor tjetër janë këtu për të nderuar jetën dhe veprën e Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari në përgjithësi. Ai ka thënë se në këtë vend ka marrë jetë liria e Kosovës.
“Vendin ku 22 vjet më parë është ndarë epoka e robërisë, duke u futur në epokën e lirisë e për epokën e lirisë ka qenë dashur sakrificë e madhe. Komandanti legjendar ishte prijës i kësaj epoke, na futi në epokën e lirisë dhe të krenarisë e dinjitetit”, ka thënë ndër të tjera Limaj.
Më tej, ai ka thënë se pas Adem Jasharit u rreshtuan qindra mijëra shqiptarë anëkend trojeve shqiptare, sikurse pas tij shkuan mijëra dëshmorë të kombit, duke iu përgjigjur kushtrimit për liri.
Pas homazheve, delegacioni i Nismës është pritur në kullën e Jasharëve, ku janë pritur nga Rifat Jashari, i cili i falëndëroi për vizitën.
