12:24 / E Diele, 02 Gusht 2020 / indeksADMonline

Nisma e re synon të zhdukë pornografinë dhe trafikimin e fëmijëve: Statistika të frikshme

Jo pak herë është diskutuar nga përdorues të thjeshtë të rrjeteve sociale, se si të gjitha këto platforma, si: Facebook, Instagram apo Twitter kanë një teknologji aq të avancuar algoritmash sa të fshijnë në kohë rekord çdo informacion që konsiderohet “fake news”, por nuk kanë mundur ende të fshijnë pornografinë online të fëmijëve.

Në një rrëfim rrënqethës, aktorja Blake Lively flet për problematikat tronditëse të kësaj çështjeje. Fjalimi është mbajtur në mbështetje të organizatës “Child Rescue Coalition”, e cila kërkon të zhdukë pornografinë e fëmijëve nga Interneti, si dhe rastet e shumta të shfrytëzimit e trafikimit të tyre.

“Nuk e dija se çfarë ishte pornografia e fëmijëve dhe kisha frikë të pyesja, sepse si nënë, do të ishte e dhimbshme ta dëgjoja, por ndjeva se duhej të pyesja dhe doja të flisja me ju sot. Është e vërteta dhe besoj se nëse të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, do t’i dedikonim më tepër kohë e do të bënim më shumë përpjekje për ta ndaluar.”

Pak kohë pas fjalimit të Blake Lively, në Instagram po qarkullon hashtagu #SaveTheChildren (Shpëtoni fëmijët), e cila është një thirrje drejtuar platformave sociale për të zhdukur pornografinë e fëmijëve dhe për të mbyllur çdo llogari të pedofilëve. Hashtagu numëron aktualisht mbi 500.000 postime.

Rrjetet sociale janë përdorur shpesh nga trafikuesit për të rekrutuar viktima. Të dhëna të nxjerra nga 400 milionë kërkime në Web, tregojnë se termat më të përdorur gjatë kërkimeve seksuale, përfshijnë fjalët: “youth” (të rinjtë) dhe “teen”(adoleshentë).

Sipas Internet Watch Foundation, në dy vite ata kanë konfirmuar 118 raste të përdhunimit të fëmijëve dhe trafikimit, të vendosura në PornHub. 85% e njerëzve që shohin materiale të abuzimit të fëmijëve, janë vetë abuzues fëmijësh. Këtë problem e thekson dhe Blake, në fjalimin e saj. Ajo thotë se mjafton që të gjurmohet se çfarë kërkimesh bëhen dhe të ketë një hetim/kontroll për çdo person që kërkon të shohë video pornografike fëmijësh në Internet.

Imazhe të abuzimeve seksuale të fëmijëve të gjetura në Internet përfshijnë djem dhe vajza nga 0-18 vjeç. Qendra Kanadeze për Mbrojtjen e Fëmijëve tha se 78.3 % e fëmijëve janë nën moshën 12 vjeç dhe 63.4% janë nën moshën 8 vjeçare. Ata gjithashtu zbuluan se rreth 80.42% e fëmijëve ishin vajza.

Shpesh, viktimat abuzohen nga dikush që njohin dhe kanë mundësi të jenë shpesh pranë tyre. Problematika është e thelluar në një gjatësi kohore relativisht të gjatë, prandaj duhen marrë masa serioze dhe të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk bëhet më fjalë për një rast të rrallë, por për një fenomen.