13:21 / E Premte, 07 Shtator 2018

Njazi Thaçi sërish në garë për drejtor menaxhues të KEK-ut

Për herën e tretë është shpallur konkursi për drejtor menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës(KEK), i cili do mbyllet më 10 shtator 2018. Në këtë garë për drejtor do të jetë edhe Ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi.

Thaçi ka pranuar për KosovaPress se do të jetë në garë për drejtorin menaxhues të KEK, sepse ai, thotë se është pjesë e kësaj korporate që nga viti 2007 dhe i plotëson të gjitha kushtet që të drejtojë këtë ndërmarrje publike.

“Jam pjesë e menaxhmentit të KEK-ut që nga viti 2007, jam pjesëmarrës në vendim marrje nga 2007 e deri më sot, që KEK ka arrit një performancë që e ka sot. Kam të mbaruar studimet në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në fakultetin Politeknik të Tiranës, studime pesë vjeçare. I plotësojë të gjitha kriteret që janë dhënë në konkursin e shpallur publik dhe besoj që do të konkurroj. I kam të qarta të gjitha objektivat që KEK-ku ka me shkuar në të ardhmen dhe besoj që i plotësoj kriteret e parapara. Mbetët përgjegjësi e Bordit të Drejtorëve të vendos se kush është më i miri”, ka thënë Thaçi.

Arsyeja pse i futet kësaj gare Ushtruesi i detyrës së drejtorit, sipas tij, është performanca e mirë në KEK gjatë menaxhimit të tij dhe njohuria me sfidat në KEK.

“Para se me qenë Ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të KEK-ut, nga viti 2011 jam drejtor operativ i KEK-ut, që nënkupton drejtor teknik, dhe i kam parë të gjitha sfidat dhe objektivat që KEK-u ka me shkuar në të ardhmen. Besoj që i plotësoj të gjitha kriteret e parapara…(pjesa e fundit) Normalisht se është përgjegjësi e madhe, e kuptoj përgjegjësitë dhe objektivat të cilat janë, por kam kapacitetin si intelektual, e njerëzor dhe moshën që ma lejon të sfidohem në të ardhmen”, ka thënë ai.

Thaçi në një bisedë për KosovaPress, thotë se angazhimi i tij çdo herë ka qenë që KEK të ketë performancë të mirë, e që sipas tij, ka ndodhur në vitet e fundit.

“KEK-u në vazhdimësi ka performuar jashtëzakonisht mirë, i keni statistikat që nga viti 1985, kur fillimisht është lëshuar “Kosova B” . Në vitin 1985 kur blloqet e Termocentralit “Kosova B” kanë qenë të reja, i kemi pasur 100 rënie të pa planifikuara, ndërsa sot në vitin 2018 më së shumti janë 30 rënie të pa planifikuara”, ka thënë Thaçi.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deritanishëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij dhe menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Bordi kishte emëruar Ushtrues detyre të drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaçi.

Pas dorëheqjes së Arben Gjukajt, për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues në KEK më 5 prill, ndërsa është rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht, i cili mbetet i hapur deri më 10 shtator.

Temat: