16:29 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Një 71 vjeçar në Elbasan dhunon gruan dhe vajzën dhe qëllon për më shumë se gjysmë ore ndaj forcave RENEA, plagosen dy kalimtarë të rastit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit, ku një 71-vjeçar ka qëlluar me armë për më shumë se gjysmë ore në drejtim të policisë. Autori është identifikuar si Lefter Zhidru, 71 vjeç nga Gjirokastra.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “11 Nëntori”, ku ish- gruaja e 71-vjeçarit ka njoftuar policinë për dhunë në familje. Me të mbërritur policia, 71-vjeçari ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar në drejtim të policisë, duke lënë të plagosur 2 kalimtarë, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç,  fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht edhe ish- gruaja e 71-vjeçarit Floresha Zhidru dhe e bija e tij 14-vjeç A. Zhidru janë nxjerrë nga banesa të palënduara.

Mësohet së forcat RENEA kanë mbërritur në vendngjarje me vonesë. Ndërkohë, FNSH nuk ka mundur të ndërhyjnë për shkak se nuk kanë tagerin dhe aftësinë për të ndërhyrë në neutralizimin e personave të rrezikshëm. Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje të moshuarit të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.

Banesa nga e cila po qëllon 71-vjeçari është e  rrethuar dhe policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtareve të tjerë të rastit.