15:05 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / k.v

Një administratë shtetërore për qytetarin (Video)

Ministria e Administratës Publike (MAP) ka përgatitur projektligjin për Administratën Shtetërore si një ndër shtyllat e domosdoshme për organizimin dhe funksionimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi.

Deri më sot, ligji ka qenë i mangët dhe i paqartë për organizimin e administratës publike: që nga themelimi, organizimi, llogaridhënia, qeverisja e deri te mbikqyrja. Këto mungesa kanë qenë të dalluara edhe në sistemin ministror si dhe tek organet që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për publikun, si shëndetësia, arsimi, kultura, etj.

Projektligji i ri për Administratën Shtetërore përcakton rregulla të qarta për gjithë sistemin ministror. Ai rregullon edhe strukturat e brendshme të administratës shtetërore, nivelet, organogramin, raporti i strukturave të brendshme, si dhe kompetencën për miratimin e organizimit të brendshëm.

Një tjetër fushë e parregulluar mirë deri më tani, e që projektligji i ri synon të organizojë, janë agejncitë e pavarura që i raportojnë Kuvendit. Ato janë themeluar pa kritere të qarta, ndërsa funksionimi i tyre ka qenë jo i standardizuar.

Tani, agjencitë do të shërbehen me projektligjin e ri si udhëzues që përcakton kriteret për themelim, menaxhim dhe llogaridhënie. Gjithashtu, do të paracaktohen funksionet për të cilat mund apo nuk mund të krijohen agjencitë e pavarura.

Projektligji i ri vendos rregulla për tranzicionin të cilat e obligojnë Qeverinë e Kosovës që brenda tri (3) viteve të bëjë një rishikim funksional të të gjitha organeve qendrore dhe të pavarura me opsione të qarta për racionalizimin e tyre.

Ky projektligj është pjesë e pakos ligjore të përgatitur nga MAP për të vendosur shtyllat për organizimin dhe funksionimit e shtetit. Ato vendosin rregull dhe sistem për shtetin që nënkupton: përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarit, rritje të besimit të publikut tek shteti, si dhe ngritjen e kapacitetit të administratë publike për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave të integrimit të shtetndërtimit, zhvillimit dhe integrimit Euro-Atlantik.