Një burrë dhe një grua kapen me lejeqëndrime të falsifikuara në Aeroportin e Prishtinës

Dy të dyshuar janë arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës pasi tentuan të largohen nga Kosova, duke paraqitur lejeqëndrime të falsifikuara të një shteti tjetër.
Policia e Kosovës, ka njoftuar se të dyshuarit, burrë dhe grua me shtetësi të huaj, planifikonin të fluturonin drejt Vjenës.
Me vendim të prokurorit, burri i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa gruaja së bashku me fëmijën e saj, është dërguar në Qendrën për Punë Sociale.
“ANP ‘Adem Jashari’ / 15.01.2025 – 11:50. Raportohet se të dyshuarit një mashkull dhe një femër me shtetësi të huaj kanë tentuar të fluturonin nga Aeroporti i Prishtinës për në Vjenë, duke prezentuar leje qëndrim të një shteti tjetër e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër së bashku me fëmijë në Qendrën për Punë Sociale”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.