20:08 / E Premte, 15 Qershor 2018 / indeksADMonline

Një dekadë e Kushtetutës, janë shënuar disa herë shkelje të saj

Për një dekadë nga hyrja në fuqi, kushtetuta e vendit është shkelur nga zyrtarë të lartë shtetërorë. Akti më i lartë juridik është shkelur nga dy ish-presidentë të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Fatmir Sejdiu kishte shkelur seriozisht Kushtetutën me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të LDK’së.

Kushtetuesja po ashtu ka rrëzuar edhe zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president, pasi kishte konstatuar se votimi për të në postin e presidentit ishte antikushtetues.

Por jo vetëm politika kishte shkelur aktin më të lartë juridik në vend.

Kjo ishte bërë edhe nga vetë sistemi i drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës vetëm brenda vitit të kaluar dy herë ka rënë ndesh me Kushtetutën e vendit, në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Apelit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se shkelje të Kushtetutës kishte bërë edhe Këshillin Prokurorial i Kosovës gjatë përzgjedhjes së kryeprokurorit për çka e kishte urdhëruar dy herë që të përsërisë procedurën e zgjedhjes për Kryeprokurorin e Shtetit.

Aktualisht Kushtetuesja nuk ka kuorum pasi dy gjyqtarët ndërkombëtar Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova, kanë përfunduar mandatin dhe rrjedhimisht kjo gjykatë nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë asnjë vendim.

E dhjetë ditë pas tyre, fundin e mandatit të tyre në Kushtetuese e kanë edhe zëvendëskryetari Ivan Çukaloviq dhe Altay Suroy.

Kuvendi ka dështuar dy herë të zgjedh gjyqtarët shqiptarë për këtë gjykatë për shkak të ndikimeve politike, derisa nga komuniteti serb ka zgjedhur Radomir Llabanin.

Llabani ende nuk është dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi, pas raportimeve për përfshirje në aktivitetet kriminale.

Sidoqoftë, vendimi i fundit i Kushtetueses, ka bërë që kryeministrit i Kosovës të jetë më i paguari në Ballkan.

Më 11 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të kryeministrit Haradinaj për pagat.

Kushtetuesja e ka quajtur të pabazuar kërkesën e deputetëve të Vetëvendosjes për shqyrtim, pasi konstatoi se çështjet e ngritura në kërkesën e tyre nuk bien në juridiksionin e saj.

Sidoqoftë, Kushtetuesja i tërheq vërejtjen Qeverisë që vendimet e saj duhet të jenë në përputhje me buxhetin 2018.

Por ky vendim u pa si konflikt interesi pasi me automatizëm janë rritur edhe pagat e gjyqtarëve duke i përfshirë edhe ata të Gjykatës Kushtetuese.

Dy muaj pas Kosova kishte shpallur shtetësinë, me 9 prill deputetet do ta ratifikonin Kushtetutën e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.

Baza e saj kryesor u morë nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pikërisht ky fakt e ka lënë Kosovën pa ushtri, pasi për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kushtetuta përcakton se duhet 2/3 e votave të minoritetit serb.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë.