23:59 / E Diele, 19 Gusht 2018 / indeksADMonline

Një erë e fuqishme godet Mekën (Video)

Një erë e fortë goditi rajonin e Mekës në mbrëmje, kurse në rrjetet sociale u shfaq një video që tregon fuqinë e erës në Kaba dhe Arafat.

Erërat e stuhishme zbuluan pothuajse plotësisht muret e Kabës, transmetojnë mediat botërore.

Në prag të fillimit të ritualit më të rëndësishëm të adhurimit në haxh, era ka shkatërruar një kamp në Arefat që u ndërtua për besimtarët gjatë qëndrimit të tyre.

Nuk raportohet për persona të lënduar, apo viktima.

Rreth 2 milionë pelegrinë nga e gjithë bota u përballën me rrebeshe shiu të dielën në Arabinë Saudite, në prag të nisjes së pelegrinazhit të Haxhit.

Besimtarët mbërritën në Arabi javën e kaluar për ritualin 5-ditor, që ripërshkon rrugën që Profeti Muhamed bëri 14 shekuj më parë. Shirat dhe stuhitë detyruan pelegrinët që të mbroheshin në tenda dhe të kalonin nëpër pellgje.

Disa u lutën në Xhaminë e Madhe para se të shkonin në zonën e Minës ose në drejtim të Malit Arafat, në lindje të Mekës. Pelegrinët do të mbërrijnë të hënën në mëngjes në Malin Arafat.

Autoritetet janë përgatitur prej muajsh për të garantuar sigurinë e pelegrinëve, tha ministri i Shëndetësisë Taëfiq al-Rabiah për Reuters, me më shumë se 30,000 punonjës shëndetësorë që veprojnë në 25 spitale dhe ofrojnë shërbime falas mjekësore, duke përfshirë procedura komplekse të tilla si operacioni i hapur i zemrës.