Një goditje e madhe për shoferët e automjeteve elektrike në vende të BE-së

Ndërsa shumë shoferë të veturave elektrike në BE karikojnë pa abonim në stacionet e karikimit – një praktikë e njohur si “karikim ad hoc” – një raport i ri i Klubit Gjerman të Automjeteve (ADAC) paralajmëron për mangësi serioze në këtë shërbim.
Testimet në stacionet pranë autostradave treguan se çmimet për karikim pa anëtarësi janë ndjeshëm më të larta, me diferenca që arrijnë deri në 62%. Përveç kostos, shumë nga stacionet nuk janë teknologjikisht të përgatitura – disa nuk kanë lexues kartash dhe funksionojnë vetëm me QR kod ose aplikacione specifike, gjë që krijon vështirësi për përdoruesit.
Edhe pse rregullorja e BE-së (AFIR) kërkon që deri në fund të vitit 2026 të ofrohet karikim i qasshëm për të gjithë, periudha tranzitore lejon mospërputhje që, sipas ADAC, janë të padrejta. Shoqata kritikon kompanitë që përmes çmimeve të larta po shtyjnë përdoruesit drejt abonimeve, duke dëmtuar përhapjen e përdorimit të veturave elektrike.
Sipas të dhënave, rrjeti më i qëndrueshëm në çmime është Ionity, ndërsa më i paqëndrueshmi është EWE GO – një ndryshim që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e shoferëve.