Një i vdekur dhe një i plagosur – çfarë ndodhi mbrëmë në Prishtinë?

Rruga “Rrustem Hyseni” në kryeqytet mbrëmë u trazua pas disa të shtënave me armë zjarri.
Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, rreth orës 22:30 një person ka nxjerr armën me të cilën ka shtënë në drejtim të dy viktimave, njëri prej të cilit humbi jetën në emergjencën e QKUK-së.
IndeksOnline raporton se Naser Gashi u dërgua pothuajse pa shenja jete në QKUK, aty edhe ku ndërroi jetë.
Të njëjtën gjë e pohoi edhe mjeku kujdestar, Agron Çitaku.
”Pasi është pranu në emergjencë, viktima ka ndërruar jetë. I plagosuri tjetër ka pësuar 3 plagë në trup por gjendjen e ka stabile. Viktima i përket moshës 63-64 vjeçare. I plagosuri i parë ka ardhë rreth orës 22:35 minuta, që faktikisht ka qenë pothuajse pa shenja jete. I është bërë reanimimi i tij për gjysmë ore dhe ka ndërruar jetë. Diku pas 15 minutash ka ardhur i plagosuri tjetër, me tri plagë, por është në gjendje stabile. Pritet trajtimi i mëtutjeshëm i tij në ortopedi” deklaroi mbrëmë Çitaku.
I plagosur me tri plagë raportohet të jetë Miftar Miftari, i cili mori plagë në këmbë, raporton IndeksOnline.
I dyshuari për këtë incident, Alban Gashi, është identifikuar menjëherë nga policia.
Këtë të fundit janë duke e kërkuar njësitet relevante të rendit.
“Aktualisht, hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha mbrëmë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.
Akoma nuk dihen motivet që mund të kenë çuar në këtë incident tronditës./IndeksOnline/