09:08 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

Një i vdekur dhe 5 të plagosur në Hallaq të Madh të Lipjanit

Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit me armë zjarri që ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Hallaq i Madh të Lipjanit.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në fshatin Hallaq i Madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga Njësiti rajonal për hetimin e krimeve si edhe njësitë e tjera për ekzaminim e vendngjarjes”, ka deklaruar ajo.

Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë plagosur 6 persona, prej tyre një mashkull, i cili nuk ka mundur t’u përballonte plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.

Aktualisht hetuesit policorë janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin./IndeksOnline/