13:03 / E Martë, 03 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Një javë nga tërmeti që mori shumë jetë, lëndoi shumë persona e shkaktoi dëme të mëdha, në Shqipëri

Mëngjesi i së martës së kaluar nuk ishte i zakonshëm për shqiptarët. Thuajse secili u zgjua nën ankthin e dëgjimit të lëkundjes së tokës.

Një tërmet prej 6.4 shkallë Rihter goditi Shqipërinë, ku epiqendër pati Durrësin dhe Thumanën.

Pikërisht një javë më parë, Shqipëria pati një sfidë tejet të madhe e cila vazhdoi për disa ditë me radhë.

51 arriti numri viktimave si pasojë e këtij tërmeti, mbi 900 të lënduar kërkuan mjekim spitaleve të shumta të Shqipërisë, e ndërtime të shumta u rrënuan.

Përpos Durrësit dhe Thumanës me dëmet e këtij tërmeti u përballën edhe shumë vende të tjera, ku si pasojë edhe sot vazhdojnë të mos qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Për t’u dalë në ndihmë të gjithë të prekurve nga ky tërmet u bën bashkë thuajse të gjitha vendet mike të Shqipërisë.

Edhe pse për ta ishte paksa e habitshme, Kosova doli të jetë mëse e mobilizuar në këtë aspekt. Përpos që shteti i Kosovës dërgoi pjesëtarë të FSK-së, Policisë e zjarrfikësve në Shqipëri, ishin edhe njerëzit vullnetarë ata që s’u ndalën për asnjë moment që t’i ndihmonin Shqipërisë, raporton Indeksonline.

Duke nisur nga ushqimi, veshmbathja kosovarët nuk ndaluan me kaq, por edhe strehuan shumë familje në shtëpitë e tyre brenda këtyre ditëve.

Edhe pse sot u bën një javë nga kjo tragjedi e Shqipërisë, vendi ende vazhdon të jetë në gjendje të ç’rregullt, si pasojë e dëmeve të shkaktuara.

Disa familje thuajse u shuan të tëra, e në mesin e viktimave pati edhe fëmijë që kishin pak vjet që filluan jetën.

Është e dhimbshme të kujtohet gjithë kjo situatë që kaploi shtetin shqiptar në ditët e kaluara, por që mobilizimi që u bë në secilën zemër shqiptare do të mbahet mend përherë.

Tashmë shteti i Shqipërisë ka nisur që të mobilizojë shumë prej banorëve të prekur nga ky tërmet nëpër hotele të ndryshme, derisa atyre t’u bëhet një zgjidhje e përhershme pra që pallatet e rrënuara të rindërtohen.

Pamjet që arritëm të shohim përgjatë këtyre ditëve në Shqipëri morën vëmendjen e gjithë botës, duke u lutur që numri i viktimave të jetë sa më i vogël, por që ky numër shkoi shumë lartë duke lënë dhimbje të pashuar në zemrat e shumë njerëzve./Indeksonline/