Një jetë në pushtet/ Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit që nuk humb asnjëherë
 
				Presidenti 92-vjeçar i Kamerunit, Paul Biya, është rizgjedhur për mandatin e tij të tetë radhazi, duke forcuar më tej pushtetin e tij pas më shumë se katër dekadash në krye të vendit. Rezultati zyrtar prej 53.7% u prit me zhgënjim nga opozita dhe qytetarët që kishin shpresuar për ndryshim.
Stili i tij i qeverisjes – i mbyllur, i përmbajtur dhe i distancuar ka krijuar pasiguri mbi drejtimin real të vendit. Ndërkohë, krizat e brendshme, veçanërisht ajo në rajonet anglishtfolëse, po thellojnë pyetjet mbi të ardhmen politike të Kamerunit dhe durimin e popullit ndaj regjimit të Biyas.
Mes thashethemeve për një rezultat të ngushtë dhe pretendimeve për fitore nga sfiduesi i tij kryesor, ish-ministri Issa Tchiroma Bakary, emocionet dhe tensionet ishin rritur në ditët para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Për pak çaste u ndezën shpresat për një rezultat më ndryshe se zakonisht.
Për pasojë, edhe pse ishte pjesë e një modeli afatgjatë, rezultati zyrtar – fitorja e Biyas me 53.7%, përpara Tchiroma Bakaryt me 35.2% u prit me zhgënjim dhe ndjenjë boshllëku nga shumë kamerunas.
Vendimi i Biyas për të kandiduar për një tjetër mandat shtatëvjeçar, pas 43- vjetësh në pushtet, ishte pa dyshim i debatueshëm. Jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në krye të shtetit, por edhe për shkak të mënyrës së tij të qeverisjes.


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                