Një lloj i ri i gripit përhapet në Evropë
Një valë intensive gripi, e nxitur nga një lloj i ri dominues i virusit, po përhapet në të gjithë Evropën dhe po i vë sistemet shëndetësore në disa vende nën presion serioz, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sezoni i gripit ka filluar rreth katër javë më herët se në vitet e kaluara, dhe OBSH po u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të rënda, raporton Guardian.
OBSH raportoi sot se të paktën 27 nga 38 vendet në Evropë po përjetojnë “aktivitet të lartë ose shumë të lartë të gripit”. Në gjashtë vende, përfshirë Irlandën, Serbinë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se gjysma e pacientëve me simptoma të ngjashme me gripin kanë rezultuar pozitivë.
Ata thonë se infeksionet shkaktohen nga një lloj i ri sezonal i gripit A(H3N2) K – i cili përbën deri në 90% të të gjitha rasteve të konfirmuara. Megjithatë, OBSH shton se aktualisht nuk ka prova që ky lloj shkakton sëmundje më të rëndë
OBSH thekson se vaksinimi mbetet hapi më i rëndësishëm në parandalim. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata me rrezik më të lartë, përfshirë të moshuarit, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa fëmijët në moshë shkollore janë nxitësit kryesorë të transmetimit në komunitet, njerëzit mbi 65 vjeç përbëjnë shumicën e rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital. Sezoni i gripit pritet të arrijë kulmin në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.
Pavarësisht seriozitetit të situatës, OBSH thotë se ky nuk është një kërcënim në shkallën e pandemisë COVID-19./Indeksonline/

