23:31 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Një minutë për ushtrim, ja 10 pozicionet më të thjeshta të jogës që imitojnë diellin

Përshëndetje diell , sekuenca e yoga-s më e zakonshme, jo vetëm për shkak të ushtrimeve të lehta, por dhe efekteve të menjëhershme në fizik, mendje e shpirt. Nëse e nis ditën duke ‘përshëndetur diellin’ do jesh plot energji dhe i relaksuar, ndërsa po i the ‘natën e mirë’ në mbrëmje, me siguri do bësh një gjumë të qetë e të rehatshëm.

Parapërgatitja për joga

Atmosferë

Të bësh yoga nuk është e thjeshtë, hyni gradualisht në atmosferën e duhur. Përpara se të nisni ushtrimet, duhet t’u përkushtoheni fizikisht dhe mendërisht atyre. Bëni përgatitjet e rastit, sigurohuni të keni në dispozicion gjithçka ju duhet, pastaj filloni seancën.

Përqëndrim

Herët e para mund të ndodhë të mos keni kthjelltësinë e duhur mendore e të ngacmoheni nga mijëra mendime të jashtme, por përqëndrimi në një objektiv të vetëm, më saktë te vetë ju, do t’ju ndihmonte t’i largoni të gjitha mendimet e tjera.

Përgatitje fizike

Përveç predispozitës së duhur mendore, po aq e rëndësishme është përgatitja fizike. Kur praktikon një sport pas një periudhe të gjatë pa kryer aktivitete të kësaj natyre, mund të përjetosh pak dhimbje. Jepini kohë trupit tuaj të mësohet me rutinën e re. Filloni me lëvizje të ngadalta, pa u sforcuar. Vazhdoni t’i praktikoni me qetësi, më pas rriteni pak e nga pak ritmin, nga dita në ditë, gradualisht. Kështu do kuptoni se me kalimin e ditëve, lëvizjet tuaja do bëhen më të lehta e më të shpejta.

ÇFARË ËSHTË “Përshëndetje diell”?

Ndoshta seanca më e famshme e yoga-s, që i ka rrënjët në adhurimin e Surya-s, perëndia hindu e diellit. Si shumica e ushtrimeve asanas, këshillohet të kryhet me stomakun bosh, herët në mëngjes, ose në mbrëmje, teksa dielli perëndon.

PËR ÇFARË SHËRBEN?

Këto ushtrime vënë në lëvizje pjesën më të madhe e më të rëndësishme të muskujve të trupit, relaksojnë mendjen e ndihmojnë frymëmarrjen. Ato janë një mënyrë ideale për reduktuar stresin, përgatitur trupin e mendjen që të përballojnë ditën. Nëse po kërkoni një mënyrë natyrale për të shtuar dozat e energjisë, ‘Përshëndetja e Diellit’ është pikërisht ajo që ju duhet. Aplikimi i vazhdueshëm i këtij grupi ushtrimesh stimulon sistemin kardiovaskular dhe i bën muskujt, tendinat e ligamentet më elastike.

SI PRAKTIKOHET?

Këtë seancë mund ta praktikoni tre deri në dhjetë herë rresht. Fillojeni me një numër të ulët përsëritjesh dhe bëni një pause në Pozicionin e Malit, përpara se të vazhdoni pjesën e dytë të ushtrimeve. Lëvizjet dhe frymëmarrjet duhet të shkrihen bashkë, lërini të lira. Mos e mbani kurrë frymën.