Një muaj nga mbyllja e konkursit për Drejtor të Policisë, ende nuk ka një emërim

Po bëhen një muaj prej që është mbyllur konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe ende nuk ka një emër se kush do të marr në duar timonin e njërit prej institucioneve kryesore në vend, raporton IndeksOnline.
Aplikacionet e dorëzuara në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë shqyrtuar por nuk dihet nëse rekomandimi i emrit se kush do të vijë në karrigen e drejtorit të ketë shkuar te kryeministri Albin Kurti.
Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.
Konkursi ishte i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.
Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.
Ndryshe rreth dy muaj më parë, kreu i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai tha se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Kryeministri e liroi atë nga detyra dhe menjëherë e caktoi zëvendësuesin e tij, Fehmi Hoti. Ky i fundit vazhdon të jetë Ushtrues Detyre derisa të emërohet drejtori i përgjithshëm./IndeksOnline/