Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.
“Caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e arrestimit 25.11.2023”, tha Lekaj.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Albin Beqiri duke prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë blen 10 numra të telefonit për të pandehurin Fatmir Tahiri dhe këta numra ia dorëzon Fatmir Tahirit.
Tutje, sipas dosjes, njëri prej këtyre numrave të telefonit përdoret për të kontaktuar pronarin e automjetit nga i cili grabitësit e blejnë automjetin, i cili përdoret gjatë grabitjes në Suharekë.
Po ashtu, dosja e Prokurorisë thotë se grabitësit nga aparati telefonik që e kanë përdorur këtë numër komunikojnë mes vete me dy numra të telefonisë “Ipko” gjatë dhe menjëherë pas grabitjes më 22 nëntor 2023.
Ndërkaq gjatë ditës së sotme, policia ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i tretë i dyshuar në këtë rast.
Në këtë incident një polic është plagosur nga të dyshuarit dhe një tjetër ka pësuar lëndime.
Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.