Një muaj paraburgim për 9 zyrtarët e arrestuar për dallavere në punimet e stadiumit në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve nëntë zyrtarëve publik të Lipjanit të arrestuar dje për mashtrim, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Burimet e IndeksOnline brenda Gjykatës Themelore kanë thënë se kërkesa e prokurorisë ishte e bazuar dhe të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda, respektivisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, dje kishte njoftuar se Policia e Kosovës, ka arrestuar nëntë persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit’’ dhe veprën penale të ‘’Mashtrimit’’ nga neni 336 të Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.
Po ashtu, gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth 300 mijë euro./IndeksOnline/