75 Mall Live Search
18:25 / E Mërkurë, 03 Mars 2021 / Blerim

Një muaj paraburgim për Lavdim Krasniqin, asistentes së tij arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vepruar lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.K. për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit.

Prokurori i shtetit në seancën dëgjimore është tërhequr nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit sa i përket të pandehurës M.B. duke propozuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndërsa sa i përket të akuzuarit L.K. ka mbetur pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.

Të pandehurit L.K., gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara.

Ndërsa ndaj të pandehurës M.B., gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se këto masa të sigurisë janë masa adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse ekziston rreziku se po të gjenden në liri mund të ndikojnë në bashkëkryerësin A.K. si dhe në dëshmitarë, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit gjendet në liri mund të përsërisin veprat penale apo të ngjashme.