14:16 / E Premte, 25 Shtator 2020 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për nënën, që desh e mbyti djalin me kabllo, në Istog

25 shtator 2020 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës SH.H, për shkak të dyshimit të bazuar se :


Më 22.09.2020, rreth orës 18:30, pikërisht në shtëpinë e dëshmitares M.T, tenton ta privojë nga jeta djalin e saj nëntëvjeçar, në atë mënyrë që përderisa po qëndronte për disa ditë te shoqja e saj, këtu dëshmitarja, për t’i ndihmuar rreth gjendjes shëndetësore të saj, aty kishin shkuar disa fqinj dhe ishin ankuar në djalin e saj se ky po u drejtohej me fjalë banale dhe po i ngacmonte fëmijët e tyre. Ky veprim ë e kishte shtyrë të pandehurën që më një kabull (gajtan) ta godiste djalin në pjesë të ndryshme të turpit, e më pas edhe t’ia vendoste rreth fytit duke e ngufatur. Por që në atë moment kishte ndërhyrë dëshmitarja, e cila kishte dëgjuar zërin e viktimës duke e thirrur dhe e kishte larguar këtë të fundit nga duart e nënës së tij, e i cili në ato momente po shkumonte nga goja.


Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Të pandehurës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje është ende në fazën hetimore për çka me gjetjen e të pandehurës në liri ekziston rreziku që e njëjta të ndikojë në dëshmitarë, të përsërisë veprën e njëjtë penale apo të përfundojë veprën penale të tentuar. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e mjaftueshme për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.