15:15 / E Hënë, 25 Janar 2021 / OSH

Një muaj paraburgim, për organizim të bixhozit

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit S.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: “Oorganizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par. 2 të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej 22.01.2021 deri më 21.02.2021.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura dhe atë nga raporti i policisë, vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, përkatësisht të 6 aparateve elektronike për lojëra të fatit të sekuestruara nga Policia e Kosovës, foto dokumentacioni ku shihen aparatet e lojërave të fatit të sekuestruara nga i pandehuri dhe lokali ku janë organizuar lojërat e fatit dhe prova të tjera të siguruara deri në këtë fazë.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit S.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

  • Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke vepruar në vazhdimësi në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme i pandehuri ka organizuar lojëra të fatit, duke i nxitur qytetarët të moshave të ndryshme që të luajnë në lojëra të tilla, në anën tjetër duke marrë parasysh sjelljet e tij dhe vendosmërinë që të kryejë këtë vepre penale edhe përkundër ndalimit me ligj.
  • Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
    Gjyqtari i procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
    Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.