11:59 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim personit, që sulmoi gjyqtarin në Vushtrri

Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ka marrë vdendimin për caktimin e
paraburgimit të të dyshuarit SH.SH. nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, shkruan Indeksonline.


“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari SH.SH. më 10.12.2019, rreth orës 15:15 në Vushtrri, e ka sulmuar personin zyrtar R.B. gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës – Dega Vushtrri, në lidhje me detyrën
zyrtare, konkretisht për shkak të një urdhërese, të cilën i dëmtuari në kuadër të detyrës së tij zyrtare e kishte nxjerrë ndaj të pandehurit SH.SH.


I dyshuari SH.SH. fillimisht e ndjek nga pas të dëmtuarin R.B. pastaj po nga mbrapa e godet në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në fytyrë dhe këmbë”, thuhet në njoftim.


Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari SH.SH. ka kryer veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur më 12 dhjetor, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe is ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një (1) muaji.