75 Mall Live Search
10:18 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / F.R

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për grabitje në Gjakovë, viktima i mitur pësoi lëndime të rënda

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit A.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes.

Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në Gjakovë, ku i pandehuri, së bashku me dy të mitur I.A dhe A.A, dyshohet se ka vepruar si pjesë e një grupi të armatosur, duke përdorur forcë dhe kanosje serioze ndaj një të mituri E.B. (2009).

Gjatë incidentit, i pandehuri dyshohet se e ka goditur disa herë viktimën me thikë në krah, ndërsa së bashku me bashkëkryerësit e ka sulmuar fizikisht dhe i ka marrë çantën, ku ndodhej portofoli me 115 euro. Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konfirmuara edhe nga spitali rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, e cila do të zgjasë nga 2 qershor deri më 1 korrik 2026.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.