75 Mall Live Search
16:55 / E Mërkurë, 24 Korrik 2019 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen te nënkalimi në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për të pandehurin N.B., nën dyshimet se ka kryer veprën penale vrasje sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se më datë 20.07.2019 rreth orës 17.50 në Prishtinë në rrugën “Perandori Justinian” në shkallët e nënkalimit, pas mosmarrëveshjes verbale me të dëmtuarin fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin – G.R., duke e goditur grushte në kokë dhe e ka shqelmuar, si pasojë e së cilës ky i fundit ishte rrëzuar dhe si pasojë e lëndimeve ndërroi jetë në QKUK, në Prishtinë.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe Indeksonline ka siguruar fotografinë dhe identitetin e të dyshuarit i cili për tri ditë ndodhej në arrati. /Indeksonline/