75 Mall Live Search
15:20 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / MSH

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që pengoi gjyqtarin në punë

Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit D.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas kërkesës, “i pandehuri Sh. B., më datë 7 tetor 2025, në fshatin Berishë, Komuna Malishevë, me forcë tenton ta pengojë të dëmtuarin N. Q., gjyqtar në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Malishevë – Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Civil, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i dëmtuari ka qenë në  terren së bashku me procesmbajtësin/dëshmitarin për një kontest pronësor, aty shkon i pandehuri fillimisht debaton me avokatin ku i drejtohet me fjalët “Pse ke hyrë në këtë lëndë”, ku avokati kërkon nga gjyqtari që ta konstatoj këtë, i  dëmtuari i prezantohet të pandehurit si gjyqtar i lëndës dhe e ka lutur që mos të pengohet seanca në terren se përndryshe është i detyruar ta thërras policinë, mirëpo i pandehuri nuk e respekton policinë dhe me tone të larta i përgjigjet me fjalët “Unë jam mësuar që të shkoj në polici dhe thirri edhe njësinë speciale”, duke vazhduar që të pengojë gjyqtarin me duar në gjoksin e tij..”

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor 2025.