75 Mall Live Search
15:24 / E Hënë, 24 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për të ekstraduarin nga Belgjika, i dyshuar për vrasjen e të riut në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit prej një (1) muaji për të ekstraduarin nga Belgjika, shtetasin kosovar 39 vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e rëndë e cila ka ndodhur me datën 05.05.2017, në një kafene në Mitrovicë, e ku i njëjti dyshohet që e ka privuar nga jeta të riun E.K, dhe nga kjo ditë ka qenë në arrati deri ditën e shtunë, kur edhe është bërë ekstradimi i tij nga Belgjika.

Me veprimet e tij i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5 të KPRK, dhe “mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të pa-autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një (1) muaji.