17:51 / E Mërkurë, 05 Gusht 2020 / indeksADMonline

“Një në Shërbim, një në Ministri”,ministrja Haradinaj u cakton detyra të reja diplomatëve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se për herë të parë, pas 12 vitesh të funksionimit të shërbimit të jashtëm, në pajtim të plotë me dispozitat përkatëse ligjore, kanë realizuar caktimin në detyra në formë të rotacionit të rregullt për personelin diplomatik dhe konsullor, sipas konceptit .

“Për qëllimet e lartcekura, do të kthehen nga Misionet që të shërbejnë në Ministri, më shumë se 50 (pesëdhjetë) anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor, të cilët kanë përfunduar mandatin e rregullt 4 vjeçar dhe nga ata të cilët, për më shumë se tetë vite pa shkëputje nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në Ministri.

Caktimet në detyra specifike në misionet jashtë vendit, në nivelet e rangut përkatës janë bazuar në nevojat e shërbimit dhe gatishmërinë e secilit që të shërbejë në Ministri ose kudo jashtë vendit sipas nevojave të brendshme në zbatim te Rregullores për Shërbimin e Jashtëm. Mbi të njejtën bazë, të gjithë zyrtarëve me grada diplomatike apo konsullore, iu është dhënë mundësia të shprehin interesimin për të shërbyer jashtë shtetit në pozitat adekuate. Ky proces i rëndësishëm për shërbimin e jashtëm, është realizuar në transparencë të plotë, udhëhequr nga parimi i meritës dhe barazisë, bazuar në kualifikimin profesional të secilit diplomat të emëruar”, shkruan ministrja.

Ajo tutje shton se bazuar në kompetencat ligjore dhe rekomandimet e përcjella nga paneli i brendshëm për shprehje të interesit ka emëruar që të shërbejnë në Misionet e Republikës së Kosovës, më shumë se 30 (tridhjetë) anëtarë të shërbimit të jashtëm, nga të cilët, zyrtarë të cilëve për më shumë se 11 vite, nuk iu është dhënë mundësia për të shërbyer jashtë vendit.

“Profesionistë me përvojë në fushat përkatëse, që do të ushtrojnë funksionet në çështjet diplomatike dhe konsullore, dhe nga të cilët kërkohet që të ushtrojnë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës.

I falënderoj të gjithë diplomatët që shkojnë në misione dhe ata që kthehen, duke besuar fuqishëm që të gjithë do t’i shërbejnë me nder Kosovës, dhe do e përfaqësojnë interesin e shtetit kudo që janë.

Punë të mbarë”, përfundon postimi Haradinaj-Stublla./Indeksonline