07:42 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Një nga dy njerëz që jetojnë me HIV në Evropë është diagnostikuar vonë

Rajoni Evropian i OBSh-së është rajoni i vetëm në tërë botën ku numri i infeksioneve të reja me HIV është në rritje. Me më shumë se 160 000 njerëz rishtaz të diagnostikuar me HIV në tërë rajonin, përfshirë më shumë se 29 000 raste të reja nga Bashkimi Evropian dhe Rajoni Ekonomik Evropian.

Ky trend ka vazhduar edhe në vitin 2016. Një arsye për këtë trend shqetësues mbi gjysma (51%) e diagnozave të raportuara të HIV-it kanë ndodhur në stadin e vonë të infeksionit.

“Epidemia e HIV-it vazhdon të rritet në një shpejtësi alarmuese në Rajonin Evropian, kryesisht në pjesën lindore, që është shtëpi e gati 80% të 160 000 diagnozave të reja të HIV-it. Ky është numri më i madh i rasteve të reja të regjistruara kurdo brenda një viti. Nëse vazhdon ky trend, ne nuk do të jemi në gjendje që të arrijmë qëllimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm për përfundimin e epidemisë së HIV-it deri në vitin 2030,” paralajmëron Dr Zsuzsanna Jakab, Drejtor Rajonal i OBSh-së për Evropë. “Testimi i vonuar i njerëzve, sidomos atyre në rrezik më të madh nga infeksioni, rezulton në trajtim të vonuar dhe kontribuon më tutje në përhapjen e vazhdueshme të HIV-it. Sa më vonë që të diagnostikohen njerëzit aq më shumë kanë gjasa që të zhvillojnë AIDS, duke çuar kështu në më shumë vuajtje dhe vdekje. Në Ditën Botërore të AIDS-it, unë nxisë të gjitha vendet që të ndërmarrin aksione tani për të ndryshuar epideminë e HIV-it në Evropë.”, thuhet në një komunikatë të zyrës së OBSh-së në Prishtinë.

I pyetur mbi aksionin e BE për trajtimin e testimit të hershëm, Komisioneri Evropian për Shëndetësi dhe Siguri të Ushqimit, Dr Vytenis Andriukaitis tha për të përmbushur synimin tonë për përfundimin e HIV, duhet të sigurohet diagnostikimi i hershëm për secilin, arritjen e grupeve të rrezikut dhe ata që janë më të margjinalizuarit.

“Për të pasur sukses, ne duhet të punojmë së bashku përtej kufijve, nëpër silose, nëpër organizata për të promovuar qasjen e lehtë në diagnostikim dhe për të luftuar barrierat siç janë stigma dhe diskriminimi. Iniciativat e BE si Aksioni i përbashkët mbi parandalimin e HIV-it dhe bashkë-infeksioneve dhe zvogëlimin e dëmit (HA-REACT)  janë vitale në trajtimin e boshllëqeve në parandalimin e HIV-it dhe bashkë-infeksioneve si tuberkuloza dhe hepatiti viral në mesin e grupeve të vështira për t’u arritur. Vitin e ardhshëm unë kamë ndërmend që të paraqes një përmbledhje të politikave dhe praktikave më të mira në luftimin e HIV-it – përfshirë parandalimin dhe testimin e hershëm – dhe inkurajoj të gjitha Shtetet Anëtare dhe hisedarët që t’i zbatojnë ato në praktikë.”, ka thënë ai.

Drejtori i QEPS (ECDC) Dr Andrea Ammon nënvizon se të dhënat e tyre tregojnë se Evropa ka nevojë për të bërë më shumë në përgjigjen e saj ndaj HIV-it, me më shumë se 29 000 infeksione të reja të HIV-it të raportuara në EU/EEA çdo vit.

“Mesatarisht, një personi i duhen rreth 3 vite prej kohës së infeksionit deri sa të diagnostikohet, gjë që është tepër gjatë. Kjo rezulton me rezultate shëndetësore afat-gjata më të këqija për shumë njerëz që janë diagnostikuar vonë dhe rritë rrezikun për përcjelljen progresive të HIV-it. Dy të tretat, d.t.th. 68%, të rasteve të reja të AIDS-it të diagnostikuara në EU/EEA kanë ndodhur vetëm brenda tre muajve pas diagnostikimit të HIV-it, gjë që tregon se këta njerëz kanë pasur infeksionin për shumë vite më herët.”, tha ai.

Udhëzim për përmirësimin e testimit në Evropë

Udhërrëfyesit e konsoliduar të OBSh-së mbi shërbimet për testim për HIV u janë dedikuar menaxherëve të programeve të HIV-it, punëtorëve shëndetësorë dhe hisedarëve të tjerë për t’i përkrahur që të rrisin qasjen në këshillimin dhe testimin për HIV. Veçanërisht, ata avokojnë fillimin e vet-testimit dhe/apo ofrimin e këshillimit dhe testimit nga ofruesit e trajnuar të kujdesit komunitar për të rritur përfshirjen. Të plotësuar me udhëzimin për vet-testim për HIV dhe njoftim të partnerit, këta udhërrëfyes përkrahin vendet që të avancojnë kah synimet globale, rajonale dhe nacionale që 90% e njerëzve me HIV të diagnostikohen deri në vitin 2020.