75 Mall Live Search
11:05 / E Martë, 20 Janar 2026 / H F

Një njollë pas pushimeve ia ndryshoi jetën”: E reja zbulon diagnozën tronditëse që la miliona pa fjalë!

Një e re australiane ka lënë miliona njerëz të habitur pasi zbuloi një problem shëndetësor të papritur, i cili u shfaq pas një pushimi që duhej të ishte pa shqetësime, shkruan Daily Mail– transmeton IndeksOnline.

Tiahnee Raquel, 23 vjeçe nga Adelaide, udhëtoi në ishujt Whitsundays në maj të vitit 2024 bashkë me partnerin e saj për një pushim me kroçerë. Por ajo u kthye në shtëpi jo vetëm me kujtime, por edhe me një shenjë misterioze në ballë, e cila do t’i ndryshonte jetën.

Në një video që ka arritur mbi 5.6 milionë shikime, Tiahnee rrëfen momentin kur kuptoi se diçka nuk ishte në rregull. Ajo vuri re një njollë të kuqe në ballë pas një dite në diell, ndonëse ishte shumë e kujdesshme me përdorimin e kremit mbrojtës.

“Jam shumë e kujdesshme ndaj diellit. Nëse ka pak diell, vendos krem, sidomos në fytyrë,” tha ajo për Daily Mail, duke shtuar se punon në industrinë e bukurisë dhe kujdesit për lëkurën dhe është e vetëdijshme për rreziqet e ekspozimit në diell, veçanërisht në Australi.

Megjithatë, pas disa orësh noti dhe snorkelimi në ujërat e Queensland-it, ajo pranon se “dielli e mposhti”. Në ballë iu shfaq një njollë e vogël e kuqe, ndërsa pjesa tjetër e trupit nuk kishte shenja djegieje. Fillimisht, Tiahnee mendoi se kishte harruar të vendoste krem në atë zonë.

Por javët kaluan dhe skuqja nuk u zhduk. Përkundrazi, ajo filloi të krijonte kore çdo ditë për gati një muaj. Kur më në fund skuqja u zbeh, në vend të saj u shfaq një njollë e bardhë, dukshëm më e çelët se ngjyra natyrale e lëkurës së saj.

“Nuk mendova asgjë serioze. Mendova se ishte thjesht zhveshje e lëkurës, si pas nxirjes,” shpjegon ajo.

Situata mori një kthesë të papritur në shtator 2024, kur gjatë rregullimit të vetullave, estetistja vuri re qime krejtësisht të bardha. Fillimisht, Tiahnee ia atribuoi stresit, por brenda dy muajsh ndryshimi u përhap me shpejtësi.

“Në nëntor, pothuajse e gjithë vetulla ime ishte e bardhë. U përhap jashtëzakonisht shpejt,” tha ajo.

Për një kohë, Tiahnee u përpoq ta fshehte duke lyer vetullat dhe qerpikët me ngjyrë të zezë. Vetëm në nëntor 2025 ajo vendosi të konsultohej me një dermatolog, i cili konfirmoi dyshimin e saj: vitiligo, një sëmundje autoimune që shkakton humbje të pigmentit të lëkurës dhe flokëve.

“Doja të dija nëse kishte ndonjë mënyrë për ta ndalur ose për ta kthyer mbrapsht. Aktualisht, nuk ka,” tha ajo.

Që atëherë, vitiligo ka vazhduar të përparojë, duke prekur vetullën, qerpikët, vijën e flokëve dhe ballin, duke krijuar kontraste të dukshme në njërën anë të fytyrës së saj. Megjithatë, Tiahnee ka zgjedhur ta përqafojë ndryshimin, madje duke përdorur edhe maskarë të bardhë për ta theksuar.

Pas publikimit të historisë së saj, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta dhe kryesisht mbështetëse. Ndjekësit e kanë komplimentuar për bukurinë dhe guximin, ndërsa shumë prej tyre kanë ndarë përvojat e tyre personale me vitiligon, duke krijuar një rrjet solidariteti.

Tiahnee ka sqaruar gjithashtu se pamja e saj nuk është e qëllimshme apo e krijuar artificialisht. Ajo thekson se djegia nga dielli nuk e shkaktoi drejtpërdrejt sëmundjen, por mund të ketë qenë faktori nxitës, pasi vitiligo ekziston në familjen e saj.

Sot, në vend që ta fshehë gjendjen, Tiahnee ka zgjedhur dukshmërinë dhe ndërgjegjësimin, duke ndihmuar miliona njerëz të kuptojnë më mirë një sëmundje që shpesh keqkuptohet.