Një oficer burgu shpallet hendbollisti i vitit në Kosovë
Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti oficerin korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, Alban Haziri, për ta uruar për suksesin e tij të fundit sportiv.
Gjatë takimit u vlerësuan angazhimi profesional dhe arritjet sportive të Hazirit, të cilat përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze vendin dhe rrjedhimisht edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në shenjë nderimi, Haziri i dhuroi Drejtorit Dibrani një fanellë, ndërsa drejtori i dhuroi një medalje dhe mirënjohjeje, duke i uruar suksese të mëtejshme në karrierën sportive.
Alban Haziri është shpallur hendbollisti i vitit në Kosovë, një vlerësim që pasqyron përkushtimin, disiplinën dhe seriozitetin e tij si në detyrë ashtu edhe në sport. Përveç punës si oficer korrektues, ai është edhe përfaqësues i rregullt i Kombëtares së Kosovës në hendboll, ku vazhdimisht ka treguar nivel të lartë sportiv dhe profesional.
Në nivel klubesh, Haziri ka arritur suksese të rëndësishme, duke u shpallur Kampion i Kosovës dy vite radhazi, në vitet 2024 dhe 2025, si dhe fitues i Kupës së Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës e vlerëson këtë arritje dhe e konsideron Alban Hazirin shembull pozitiv të balancimit të punës profesionale me suksesin sportiv, një motivim për gjithë stafin.

