75 Mall Live Search
16:16 / E Hënë, 22 Dhjetor 2025 / F.R

Një përgjigje për Hotin, Kadaj-Bujupi: Kur politika e jashtme matet me rezultate, jo me retorikë

Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi i është përgjigjur ish-kryeministrit Avdullah Hoti, rreth akuzave të këtij të fundit, se Osmani është dorë e zgjatur e Kurtit.

Kadaj Bujupi thotë se përkundër një agjende ndërkombëtare intensive dhe të paprecedentë, Presidentja ka dëshmuar një nivel të lartë aktivizmi institucional dhe përkushtimi qytetar.

‘Ajo ka vizituar komuna në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim politik apo partiak VV, PDK, LDK, AAK apo subjekte të tjera duke afirmuar në praktikë parimin kushtetues të përfaqësimit gjithëpërfshirës.’-thuhet mes tjerash në reagimin e Kadaj-Bujupit.

Reagimi i plotë:

Katër njohje të reja shtetërore dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike shënojnë një nga fazat më domethënëse të konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në periudhën e fundit. Krahas tyre, dymbëdhjetë shtete kanë rikonfirmuar njohjen e Kosovës, pavarësisht presioneve të jashtme dhe fushatave të vazhdueshme për çnjohje, duke dëshmuar se pozita ndërkombëtare e Kosovës jo vetëm që është e qëndrueshme, por edhe në zgjerim të vazhdueshëm.

Një element kyç i këtij avancimi ka qenë koordinimi i vazhdueshëm dhe strategjik i Presidentes me Administratën Trump, i cili ka prodhuar rezultate konkrete dhe të prekshme për shtetin e Kosovës. Ky angazhim është reflektuar edhe në miratimin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe nënshkrimin e tij nga Presidenti Donald Trump, dokument në të cilin betohet mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, riafirmohet përkrahja për anëtarësim në NATO si dhe theksohet rëndësia e investimeve strategjike amerikane në Kosovë. Ky zhvillim përbën një garanci politike dhe të sigurisë me peshë të jashtëzakonshme për vendin, si askush më parë në historinë institucionale të Kosovës.

Në këtë linjë të konsolidimit ndërkombëtar, heqja e masave të padrejta të Bashkimit Europian ndaj Kosovës përfaqëson një tjetër arritje me rëndësi strategjike, rezultat i një angazhimi të qëndrueshëm në politikën e jashtme, argumentimit të konsoliduar politik e juridik dhe ndërtimit të besimit me partnerët evropianë. Ky zhvillim konfirmon se një qasje institucionale, e matur dhe bashkëpunuese prodhon rezultate konkrete për shtetin.

Në planin e përfaqësimit të lartë ndërkombëtar, audienca private e Presidentes te Papa Leoni XIV, si dhe pjesëmarrja aktive në samite kyçe ndërkombëtare, kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e profilit dhe kredibilitetit të Kosovës në arenën globale. Paralelisht, Presidentja është nderuar me një numër të konsiderueshëm çmimesh dhe mirënjohjesh ndërkombëtare, duke u renditur si askush më parë në historinë e Kosovës, për lidership moral, angazhim për paqe, dialog ndërfetar dhe fuqizim të grave.

Përkundër një agjende ndërkombëtare intensive dhe të paprecedentë, Presidentja ka dëshmuar një nivel të lartë aktivizmi institucional dhe përkushtimi qytetar. Ajo ka vizituar komuna në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim politik apo partiak VV, PDK, LDK, AAK apo subjekte të tjera duke afirmuar në praktikë parimin kushtetues të përfaqësimit gjithëpërfshirës.

Ndërkohë që në këto momente dalin akuza nga individë, si z. Hoti, të cilët në asnjë rrethanë nuk mund të maten apo të krahasohen me legjitimitetin demokratik dhe peshën institucionale të Presidentes Osmani legjitimitet i konfirmuar nga mbi 300 mijë vota qytetare që i dhanë asaj mandatin historik Presidentja vazhdon pa devijim ushtrimin e detyrës së saj kushtetuese.

Ajo vijon angazhimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet, seriozitet dhe vizion strategjik, larg polemikave të ditës dhe e përqendruar në interesin afatgjatë të shtetit.

Rezultatet janë të dokumentuara, të matshme dhe flasin vetë. Në politikën e jashtme, pesha e lidershipit matet me arritje konkrete dhe këto arritje janë tashmë pjesë e kapitullit më serioz të afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.