19:26 / E Martë, 14 Dhjetor 2021 / AR

Një pilulë efektive kundër Covid: Pfizer jep detaje për ilaçin

Kompania amerikane Pfizer, që ka prodhuar një nga vaksinat më efektive kundër Covid, njoftoi ditën e sotme se ka prodhuar një pilulë kundër simptomave të rënda të Covid.

Pilula eksperimentale antivirale Paxlovid është gjithashtu efektive kundër variantit Omicron i cili po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, njoftoi kompania, duke iu referuar testimit laboratorik.

Në provat klinike, Paxlovid pati pothuajse 90% efikasitet në parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjes te pacientët me rrezik të lartë, sipas Pfizer.

Këto rezultate bënë që kompania të kërkonte autorizim nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) që pilula të bëhej ilaçi i parë oral i disponueshëm gjerësisht për të luftuar koronavirusin.

Mbretëria e Bashkuar, muajin e kaluar, aprovoi pilulën Molnupiravir të prodhuar për t’u përdorur te të moshuarit dhe pacientët në rrezik, por nuk është miratuar në SHBA për shkak të shqetësimeve në lidhje me sigurinë.