75 Mall Live Search
13:11 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / MSH

Një platformë e Microsoft-it gjeneron mbi 75 miliardë dollarë gjmatë një viti

Kompania Microsoft njoftoi të mërkurën se platorma e saj kryesore e kompjuterizimit në “cloud”, Azure, ka gjeneruar mbi 75 miliardë dollarë të ardhura vjetore, me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë.

Azure është në qendër të përpjekjeve të Microsoft për t’u transformuar në një lider global të inteligjencës artificiale, por deri tani kompania nuk kishte bërë publike shifrat konkrete të fitimeve. Zbulimi u bë përmes raportit vjetor financiar, i cili gjithashtu tregoi një rritje prej 24% të fitimit tremujor, duke tejkaluar parashikimet e Wall Street dhe duke qetësuar investitorët që ishin të shqetësuar për kostot e ndërtimit të qendrave të reja të të dhënave për të përballuar kërkesën në rritje për shërbimet cloud dhe AI.

“Në po rrisim kapacitetet tona më shpejt se çdo konkurrent tjetër”, tha CEO i Microsoft, Satya Nadella, gjatë një telefonate me investitorët, duke shtuar se kompania tani operon mbi 400 qendra të mëdha të të dhënave në gjashtë kontinente.

Fitimi neto për tremujorin prill-qershor ishte 34.3 miliardë dollarë, ose 3.65 dollarë për aksion, përkundrejt parashikimeve prej 3.37 dollarësh. Ndërkohë, të ardhurat e përgjithshme në këtë periudhë arritën 76.4 miliardë dollarë, një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pavarësisht suksesit, Azure vijon të renditet pas konkurrentit kryesor, Amazon Web Services (AWS), i cili ka raportuar të ardhura vjetore prej 107.6 miliardë dollarësh deri në fund të dhjetorit.

Ndërtimi i infrastrukturës për të fuqizuar teknologjitë cloud dhe AI është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Për të balancuar kostot, Microsoft ka reduktuar shpenzimet në fusha të tjera, përfshirë shkurtimin e rreth 15 mijë vendeve të punës gjatë këtij viti, edhe pse fitimet janë rritur ndjeshëm.

CEO Nadella u shpreh javën e kaluar se shkurtimet e stafit ishin një barrë e rëndë emocionale, por i përshkroi ato si një mundësi për të riformuluar misionin e kompanisë në epokën e AI. Megjithatë, numri total i punonjësve ka mbetur i pandryshuar – 228,000 të punësuar me kohë të plotë, sa kishte një vit më parë – por me më shumë punonjës në SHBA dhe më pak në rolet e mbështetjes teknike apo konsulencës.

Përpjekjet për një model më të “holluar” operacional janë mirëpritur nga tregjet financiare, në një kohë kur Microsoft dhe gjigantë të tjerë të teknologjisë po justifikojnë investime masive në qendra të të dhënave, çipe dhe pajisje të fuqishme për AI.

Vetëm javën e kaluar, Google njoftoi se do të rrisë buxhetin e shpenzimeve kapitale me 10 miliardë dollarë shtesë, duke e çuar totalin në 85 miliardë dollarë. Ndërsa CFO e Microsoft, Amy Hood, tha se për periudhën korrik-shtator, shpenzimet kapitale pritet të arrijnë në 30 miliardë dollarë.

Kompania nuk e bëri të qartë se sa ndikojnë tarifat tregtare amerikane në të ardhurat e saj, por në raportin vjetor përmendet se tarifat dhe pasiguria gjeopolitike përbëjnë rreziqe të vazhdueshme për operacionet, duke ndikuar koston e zinxhirit të furnizimit për cloud dhe pajisjet teknologjike.