Një plumb qorr godet veturën e një qytetari në Skenderaj

Një rast shqetësues është raportuar sot nga Policia e Kosovës, ku një qytetar ka pësuar dëmtime materiale në veturën e tij si pasojë e një plumbi qorr, transmeton IndeksOnline.
Sipas raportit zyrtar, ngjarja ka ndodhur, më 17 gusht 2025 rreth orës 17:30 në fshatin Polac të Komunës së Skenderajt. Ankuesi, një mashkull kosovar, ka raportuar se gjatë kohës sa ishte duke lëvizur me automjetin e tij, një predhë e paidentifikuar – e dyshuar si plumb qorr – ka goditur veturën duke i shkaktuar dëmtime.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar predhën në fjalë, si provë materiale. Fatmirësisht, në këtë rast nuk raportohet për të lënduar, por rasti ka shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Policia ka njoftuar se rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe se hetimet janë në vazhdim me qëllim të identifikimit të personit apo personave përgjegjës./IndeksOnline/