75 Mall Live Search
15:26 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / KV

“Një prokuror i përgjegjshëm s’do ta kishte ngritur kurrë këtë aktakuzë”, thotë avokatja e Krasniqit

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj përfundimtare, për të kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbi të cilat janë ngritur akuzat ndaj tij.

Alagendra ishte e qartë se ZPS-ja po mbështetet në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit.

Sipas mbrojtjes, akuza e Prokurorisë ndaj Krasniqit për të ndaluarit në Malishevë, tregon shumë për prokurorin që e ka ngritur.

“Pas përfundimit të argumenteve të veta, Prokurori ka tërhequr pretendimin e vet se Jakup Krasniqi ka qenë i pranishëm dhe e ka vizituar dhomën ku kanë qenë të ndaluar persona të caktuar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i Prokurorisë, që Jakup Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë i mbajtur në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë.”

Ajo thotë tutje se nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar.

“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo,

Prandaj, Alagendra e akuzoi zyrën e Kimberly West se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.

“Këto po demonstrojnë se sa e papranueshme ka qenë qasja e prokurorisë ndaj dëshmive. Kjo aktakuzë nuk duhej të ishte ngritur fare. Ne parashtrojmë që Prokuroria do të duhej ta kishte tërhequr aktakuzën. Prokuroria vazhdoi që të qëndronte qëndrimit të vetë të pambështetur.“