Një serb dhe një franceze u ndaluan nga Policia në Koshare

Ndonëse në kufi me Shqipërinë, Kosharja e Gjakovës, mbetet destinacion i lakmuar edhe për shtetasit serb.
Shumica vijnë e largohen tinëzisht, në të kaluarën madje vendosnin flamuj të Serbisë, krahas emblemës së UÇK-së, në kullën e vrojtimit, ish-bazë e ushtrisë jugosllave. Saktësisht në Koshare, gjatë muajit maj ishin arrestuar dy shtetas serbë, të cilët u prezantuan si alpinistë.
As tash vizitat nga serbët nuk po ndalen.
Mbrëmë, saktësisht në orën 19:20, banorët e fshatit Botushë, ngjitur me Kosharen, hasën në dy persona të panjohur. Një shtetas serb, dhe një franceze. Me ta u takuan pak metra larg kompleksit memorial të dëshmorëve të UÇK-së.
“Ai u prezantu në fillim si francez, njëri prej tyre. Njëra ka qenë femër. Kjo është hera e 20-të që po na ndodhë e për neve është një lloj proovikimi, se po vijnë me flamura, ne kemi njerëz të vrarë, të zhdukur, që nuk e dijmë se ku janë edhe për neve është një lloj nxitje që po na, se nuk jemi kundër askujt”, ka thënë B.F – Banor.
Ky i ri, identitetin e të cilit nuk po e publikojmë për shkaqe sigurie, thotë se vazhdimisht po hasin në shtetas serbë, në zonën e Koshares.
“Jemi ardhë thojke me vizitu vendin, jemi ardhë, po çka lyp në orën 19:30 në mbrëmje në kerr. A kishin diçka të dyshimtë më vete? Telefona, kështu, se për të tjerat, nuk jam në dijeni, se ka vazhdu Policia me kontrolle, se për ta ka pasur që kanë ardhur me drona, me flamura”, ka thënë B.F – Banor.
Ashtu siç e dëshmojnë pamjet e siguruara nga TV Dukagjini, Policia e Kosovës ishte e pranishme në vend të ngjarjes. Francezja dhe serbi u shoqëruan për në stacionin policor madje iu konfiskua përkohësisht vetura.
“… Më pas është njoftuar Stacioni Policor në Gjakovë, njësitet patrulluese dhe ato të hetuesisë, në konsultim me prokurorin e shtetit kanë bërë shoqërimin e tyre për verifikim. Pas procedurave të verifikimit dhe intervistimit të tyre, meqenëse nuk është gjetur asgjë e dyshuar, me vendim të prokurorit është përpiluar shënim zyrtar dhe të njëjtit janë liruar”, ka thënë Lumni Graishta – Drejtor Rajonal i Policisë në Gjakovë.
Prokuroria Themelore e Gjakovës për TV Dukagjini tha se pas intervistimit, shtetasja franceze dhe shtetasi serb janë liruar, sepse është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale.
Për Kosharen që ushtria serbe e mbanë mend si vend-betejë në të cilën gjatë prillit të 99-s, UÇK-ja korri sukses të jashtëzakonshëm dhe e theu kufirin, janë shkruar libra e janë realizuar dhjetëra dokumentarë, i fundit një film dokumentar i realizuar nga televizioni shtetëror i Serbisë.