75 Mall Live Search
12:43 / E Mërkurë, 15 Prill 2026 / MSH1

Një shqiptar në listën e Forbes-it “30 under 30”, e përgëzon Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përgëzuar Merkur Smajlajn, në përzgjedhjen e tij në listën prestigjioze të Forbes-it “30 under 30”.

“Urime Merkur Smajlaj për emërimin në listën Forbes ’30 Under 30 Europe 2026′. Puna e tij në ruajtjen e hidrogjenit dhe inovacionin në energjinë e pastër pasqyron talentin dhe përkushtimin e të rinjve që formësojnë të ardhmen. Kosova është krenare për arritjen e tij”, shkroi Haxhiu në X.

Smajlaj u bë pjesë e listës së famshme të njerëzve të suksesshëm në fusha të caktuara, para se të mbushin 30 vjet, shkruan IndeksOnline.

Forbes-i ka vite që e praktikon këtë seleksionim, duke përzgjedhur njerëz shumë të suksesshëm dhe ekskluzivë.

Merkuri është përgjegjës për kërkim dhe zhvillim në startup-in austriak “HydroSolid”, që përqendrohet në ruajtjen e sigurt të hidrogjenit.

Sistemi i tij përdor materiale të përparuara që thithin hidrogjenin, të cilat e ruajnë hidrogjenin në një presion prej vetëm 30 bar, në vend të presionit të zakonshëm prej 300+ bar, duke ofruar atë që startup-i e quan një zgjidhje shumë më të sigurt, më kompakte dhe me kosto efektive, si edhe një zgjidhje që zvogëlon emetimet e CO2.

Duke udhëhequr zhvillimin kimik dhe shkallëzimin e nanokompozitëve të “HydroSolid”it, Smajlaj ka punuar në projekte të BE-së me kompani, përfshirë “Stellantis” dhe “Boeing”. Kompania ka mbledhur 3.5 milionë dollarë deri tani./IndeksOnline/