75 Mall Live Search
10:19 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / A

Një shqiptar nga Lugina kapet duke kontrabanduar 5 kinezë në Kosovë, ja si kishin hyrë nga Serbia

Një ngjarje e pazakontë është shënuar mbrëmjen e 21 tetorit në afërsi të fshatit Seqishtë, komuna e Hanit të Elezit, ku njësitë patrulluese të Policisë së Kosovës (kufitare) ndaluan gjashtë persona që po lëviznin në këmbë, në mënyrë ilegale, në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Sipas burimeve të Indeksonline, pesë prej tyre ishin shtetas të huaj nga Kina, ndërsa i gjashti, një i mitur nga Presheva dhe ai dyshohet se ishte udhërrëfyesi i tyre.

Grupi po kalonte nëpër rrugë ilegale pranë vijës hekurudhore, me qëllim hyrjen në territorin e Maqedonisë së Veriut, pasi kishin kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë.

Burimet bëjnë të ditur se personi i arrestuar është F.R., nga fshati Corroticë e Preshevës. Ndaj tij është iniciuar rast për “kontrabandim me migrantë” dhe “kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Ai është intervistuar në prani të avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, dhe ndodhet aktualisht në Qendrën e Ndalimit në Viti.

Pesë shtetasit kinezë janë: Xixo Guoshun, Pan Zhiwei, Zeng Weixiang, Liu Hong dhe Liu Haying. Tw njwjtit janë deportuar për në Serbi. Sipas autoriteteve, ata posedonin vula hyrëse dhe dokumentacion që dëshmonte se kishin qëndruar më parë në një hotel në Serbi.

Rasti është duke u trajtuar nga institucionet kompetente për veprime të mëtejshme ligjore. /Indeksonline/