Një tërmet i fuqishëm godet Afganistanin, raportohet për qindra viktima dhe të plagosur

Qindra persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 6.0 të shkallës Rihter që goditi Afganistanin Lindor, pranë kufirit me Pakistanin, mbrëmjen e së dielës.
Operacionet e shpëtimit janë ende në vijim ndërsa raportet nga zonat e prekura tregojnë për dëme të mëdha dhe viktima të shumta.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm në një fshat janë raportuar fillimisht 30 viktima.
“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak të vështirësive në aksesimin e zonës, ekipet tona janë ende në vendngjarje,” tha zëdhënësi i ministrisë, Sharafat Zaman.
Sediqullah Quraishi Badloon, zyrtar për informim në provincën Nangarhar, deklaroi për “New York Times”-n se numri i vdekjeve mund të ketë arritur në 250, shumica në provincën fqinje Kunar. Vetëm në Nangarhar janë konfirmuar nëntë viktima, shkruan rtsh.al.
Tërmeti u regjistrua në orën 23:47 të së dielës, me epiqendrën rreth 27 km në verilindje të qytetit Jalalabad dhe me një thellësi vetëm 8 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së. Një tjetër tërmet me magnitudë 4.5 goditi të njëjtën zonë vetëm 20 minuta më pas.
“Qindra të plagosur janë dërguar në spitalet e zonës”, tha Najibullah Hanif, kreu i informacionit për provincën Kunar. “Shifrat pritet të rriten ndjeshëm, pasi kemi pak rrugë dhe komunikim me zonat më të prekura.”
Qyteti Jalalabad, me një popullsi mbi 300,000 banorë dhe një ekonomi të mbështetur në tregti dhe bujqësi, ndodhet pranë kufirit me Pakistanin dhe është një nga zonat më të populluara të rajonit. Ndërtesat e ulëta të ndërtuara kryesisht me tulla balte dhe materiale të dobëta kanë kontribuar në shkallën e dëmtimeve.
Në rajonet malore të Kunarit dhe Nangarharit, pranë kufirit me provincën Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit, shumë banesa janë shembur plotësisht.
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet në rajon për shkak të vendndodhjes së tij në zonën ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike. Vitin e kaluar, një seri tërmetesh në perëndim të vendit shkaktuan mbi 1,000 viktima, duke nënvizuar cenueshmërinë e vendit ndaj fatkeqësive natyrore.
Autoritetet kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare dhe mbështetje urgjente humanitare për të përballuar pasojat e katastrofës.