Një tetori me Profesoreshën e 1 tetorit
Është shënuar sot 22 vjetori i protestave studentore të vitit 1997. Njëra prej organizatoreve dhe aktivisteve të kësaj proteste historike ka qenë edhe Profesoresha universitare, Remzie Shahini-Hoxhaj. Sipas Profesoreshës thuhet se kjo protestë e organizuar prej një grupi studentësh të Universitetit të Prishtinës, ka qenë edhe një prej fillesave për procesin e çlirimit të Kosovës, e cila në atë kohë ka qenë e okupuar prej autoriteteve serbe.
“Çdo herë që fillon viti i ri akademik, unë e kujtoj me shumë nostalgji atë ditë e sidomos tash që jam edhe në pozitën e Profesorit. Më kujtohet ajo ditë tetori që ka qenë një ditë si kjo e sotmja, me një diell përcëllues dhe une kam dalë prej shtëpisë me plot kritika prej nanës time që m’ka thënë, a je e vetëdijshme se ku po shkon, mundesh me përfundu e arrestuar”, tregon profesoresha Remzie, për rreziqet me të cilat është përballë gjatë organizmit të protestës.
Megjithatë organizimi i kësaj proteste aq sa ka qenë i guxmishëm ashtu ka qenë edhe i rrezikshëm dhe shumë i vështirë për t’u realizuar. Koha në të cilën është bërë ky organizim dallon shumë më protestat të cilat realizohen sot, duke filluar nga pankartat që janë elementi kryesor i një proteste nuk kanë mundur të përgaditen në proces të rregullt siç përgaditen sot në fotokopje. Sipas profesoreshës Remzie thuhet se gjithë realizimi i këtyre afisheve është bërë me punë dore me ndihmën e studentëve të arkitekturës, ndërtimtarisë dhe dizajnit, pra të gjitha depratamentet e UP-së e kanë dhënë kontributin e tyre.
Profesoresha Shahini-Hoxhaj, roli i të cilës në atë kohë ka qenë Kryetare e Unionit të Studentëve të Fakultetit Filologjik, thotë se arsyeja kryesore për të cilën edhe është organizuar protesta, ishte t’i mundësohej studentëve kosovarë, vijimi i ligjeratave në objekte shkollore pasi ky proces atëkohë kryhej nëpër shtëpi-shkolla, si dhe mundësia për të mësuar në gjuhën amtare, gjuhën shqipe.
Megjithatë Profesoresha Remzie, ka treguar për Indeksonline se është shumë e lumtur që vullneti i gjeneratës së athëhershme për të bërë ndryshime pa pyetur asnjëherë për ndonjë përfitim personal, ka ndikuar që sot Univeristeti i Prishtinës të jetë një prej universiteteve më të suksesshme në Republikën e Kosovës.
“Unë jam shumë e lumtur që sot jam pjesë e Universitetit të Prishtinës dhe që gjenerata ime ka bërë ndryshime pozitive për këtë institucion. Jam e lumtur që jam shqiptare nga Kosova dhe kudo që shkoj mundohem t’i reprezentoj ngyrat e flamurit tonë kosovarë”, tregon Profesoresha.

Ndër të tjera, Universiteti i Prishtinës e ka bërë sot hapjen e fillimit të vitit të ri akademik, me një ceremoni që është organizuar në oborrin e kampusit universitar.
Ky vit akademik do të fillojë me 6 mijë studentë të rinj të pranuar nga Universiteti i Prishtinës. /Indeksonline/