75 Mall Live Search
10:11 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / MSH

Një tropojan zhduket te kufiri afër Gjakovës, për gjetjen e tij mobilizohen policia dhe FSK-ja

Një 26-vjeçar nga Tropoja është zhdukur buzë pikës kufitare Qafë Morinë.

Florijan Tabaku është raportuar si i zhdukur pasditën e djeshme, teksa për gjetjen e tij janë angazhuar si qytetarë nga Kosova e Shqipëria, ashtu edhe Policia e Kosovës dhe FSK-ja.

Rastin për IndeksOnlinen e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas Krasniqit, viktima është parë për herë të fundit në afërsi të kufirit, teksa rastin e kanë raportuar familjarët e të zhdukurit.

“Menjëherë pas raportimit, të gjitha njësitë relevante policore janë angazhuar në operacionet e kërkimit në atë territor, duke përfshirë njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe shoqatën për kërkimshpëtim”, deklaroi Krasniqi.

Sipas saj, kërkimet për gjetjen e Florijanit po vazhdojnë edhe sot.

Familjarët kanë bërë të ditur se ai vuan nga probleme mendore dhe aftësitë e tij janë të kufizuara./IndeksOnline/