“Një vendim që ndryshoi gjithçka”, rrëfimi prekës i Kiara Titos

Moderatorja e njohur shqiptare, Kiara Tito, ka ndarë një rrëfim prekës mbi periudhën e vështirë që kaloi përpara se të merrte pjesë në formatin “Big Brother VIP Albania”, i cili, siç rrëfen vetë ajo, i ndryshoi jetën në mënyrë të papritur, por rrënjësore.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Kiara foli me sinqeritet për momentet e pasigurta dhe boshllëkut emocional që përjetonte para se të merrte vendimin për të hyrë në reality show. Ky hap, për të, nuk ishte vetëm profesional, por një pikë kthese që solli transformim të plotë si në jetën personale, ashtu edhe në atë publike.
“Unë kam pasur momente që jeta më ka shtyrë në një drejtim që nuk e kisha menduar. Me zgjedhjet që kam bërë, kam krijuar një realitet krejt ndryshe”, tha Kiara, duke treguar se gjithçka nisi nga një vendim i vetëm që ndikoi në të ardhmen e saj.
Moderatorja u shpreh se nëse nuk do të kishte marrë pjesë në Big Brother, nuk do të kishte takuar kurrë partnerin e saj, këngëtarin Luiz Ejlli, dhe nuk do të kishte sot vajzën e tyre, Lunën. “Po të mos isha futur në Big Brother, nuk do të kisha këtë jetë që kam tani. Nuk do ta kisha Lunën, nuk do të kisha takuar Luizin dhe ndoshta nuk do të isha kthyer më në televizion”, u shpreh ajo me emocione.
Ajo pranoi se ishte në një fazë të jetës ku ndihej e humbur dhe e tërhequr nga publiku. “Nuk do ta kisha njohur Luizin jashtë shtëpisë së “Big Brother”, sepse nuk dilja më në rrugë, nuk doja të shfaqesha askund, isha shkëputur nga gjithçka”, tregoi Kiara.
Në përfundim, ajo theksoi rolin e fatit, por edhe të vendimeve që njeriu merr në jetë. “Mund të jetë fati deri diku, por jemi ne që e kemi në dorë të ndryshojmë rrjedhën e jetës sonë”, tha ajo.