Siguroi shërbime seksuale, dënohet me një vit burg
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit F.B. për veprën penale, “Trafikimi me njerëz”.
I akuzuari F.B. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej një (1) viti, i cili dënim duhet të ekzekutohet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit F.B., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike i akuzuari ka përdorur dhe ka siguruar shërbime seksuale me persona për të cilët ka qenë në dijeni se janë viktima të trafikimit.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Indeksonline/